E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nxënësit me nevoja të veçanta në Shkodër, ZVA: Prioritet përmirësimi i shërbimit ndaj tyre

Ky vit i ri shkollor ka shënuar rritje  të numrit të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e Bashkisë së Shkodrës, ku po trajtohen mbi 200 nxënës me aftësi ndryshe.

Drejtuesja e Zyrës Vendore të Arsimit (ZVA), Brisela Kadija, thekson se përmirësimi i shërbimeve ndaj këtyre fëmijëve, veçanërisht përmes kualifikimit të mësuesve mbështetës, është një nga prioritetet kryesore për këtë vit shkollor.

“Kemi mbi 200 nxënës që marrin shërbim nga mësuesit ndihmës, në varësi të diagnozave që kanë, por edhe në varësi të përcaktimi që komisioni psiko-social i Zyrës Arsimore ka përcaktuar”, u shpreh drejtoresha e ZVA Shkodër.

Rritja e numrit të fëmijëve me nevoja te veçanta vërehet jo vetëm në arsimin parauniversitar, por edhe në atë parashkollor, gjë që kërkon shtimin e vazhdueshëm të numrit të edukatorëve mbështetës.

“Kërkesa e vitit që lamë pas për edukatorë mbështetës është më e rritur se në vitet e shkuara. Kjo vjen edhe si pasojë e ndërgjegjësimit të familjeve, sepse nevoja për mbështetje për këta fëmijë është thelbësore”, u shpreh ajo.

Aktualisht, në bashkinë e Shkodrës janë angazhuar mbi 300 mësues dhe edukatorë në sistemin publik, të cilët ofrojnë ndihmë për fëmijët me aftësi ndryshe duke synuar përfshirjen dhe integrimin e tyre në procesin arsimor.

Gazetar: Ardian Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›