E Martë, 3 Nëntor 2026

Nxori pistoletën në mes të rrugës dhe kërcënoi një person, në pranga 27-vjeçari dhe i vëllai

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë nga Policia e Tiranës, pas një konflikti mes dy personave në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”. Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi ka kanosur me armë zjarri një shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, ndërhynë me shpejtësi pas marrjes së informacionit për incidentin.

Në pranga ranë:

L. M., 27 vjeç, i akuzuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, pasi gjatë një konflikti me 32-vjeçarin A. R., dyshohet se e ka kërcënuar këtë të fundit me armë zjarri;

R. M., 25 vjeç, vëllai i autorit të dyshuar, i cili u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se fshehu armën e zjarrit menjëherë pas ngjarjes.

Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e përdorur në ngjarje, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak si dhe një automjet, që po përdorej nga të dyshuarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›