E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB – Gjermania i kërkon Iranit të heqë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i bëri sot thirrje Teheranit që t’i japë fund bllokadës së Ngushticës së Hormuzit, gjatë bisedimeve me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Është në dorën e Iranit të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociata dhe të zbusë shtrëngimin e tij”, deklaroi Wadephul për gazetarët përpara takimit me Araghchi.

Pas bisedimeve, burime nga delegacioni gjerman thanë se ministri i kishte kërkuar homologut iranian të angazhohej seriozisht dhe në mënyrë të besueshme në negociata të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet fqinje të rajonit.

“Tani duhet të ketë një gatishmëri të përgjithshme për kompromis, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për konfliktin e bllokuar në rajon”, tha ministri gjerman.

Ai shtoi se Gjermania dhe formati i ashtuquajtur E3, i përbërë nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshme të mbështesin përpjekjet për ndërmjetësim.

Wadephul theksoi gjithashtu gjatë takimit se Irani dhe milicitë aleate të tij, përfshirë grupimin Huthi në Jemen, duhet t’i japin fund sulmeve ndaj anijeve civile.

Gjermania pret që kalimi i lirë përmes Ngushticës së Hormuzit të rikthehet menjëherë, deklaroi ai, duke kundërshtuar gjithashtu çdo tarifë për kalimin në këtë rrugë ujore, përfshirë edhe tarifat e ashtuquajtura vullnetare.

“Jo vetëm vendet e Gjirit, por edhe pjesë të mëdha të Azisë, Afrikës dhe Evropës po vuajnë nga kjo bllokadë”, u shpreh Wadephul.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë jetike për tregtinë globale të naftës, gazit dhe plehrave kimike, ndaj kufizimi i lëvizjes së anijeve ka pasoja për furnizimet dhe ekonominë ndërkombëtare. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›