OKB dënon luftën në Gazë, u kërkon udhëheqësve të bëjnë presion mbi Izraelin dhe Hamasin

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk, gjatë hapjes së sesionit të fundit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, tha se lufta e Izraelit në Gazë po u shkakton palestinezëve vuajtje të tmerrshme dhe të paarsyeshme.
Turk u bëri thirrje udhëheqësve të qeverisë të ushtronin presion mbi qeverinë e Izraelit dhe grupin militant Hamas – për t’i dhënë fund luftës.
“Faktet flasin vetë. Çdokush në qeveri duhet të jetë i vetëdijshëm për atë që po ndodh në Gaza. Të gjithë ata që kanë ndikim duhet të ushtrojnë presion maksimal mbi Izraelin dhe Hamasin, për t’i dhënë fund kësaj vuajtjeje të padurueshme”.
Në fjalimin e tij, ai ngriti shqetësime në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit midis Iranit dhe Izraelit, pasojat e tarifave të SHBA-së dhe të dhënat e të drejtave të njeriut në Kinë – së bashku me luftërat dhe konfliktet në vende si Sudani dhe Ukraina.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, i cili ka folur rregullisht për gjakderdhjen në Gazë bëri thirrje për lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga militantë të armatosur palestinezë – duke përdorur disa nga fjalët e tij më të fuqishme – për të nxjerrë në pah dhunën në Lindjen e Mesme.
“Mjetet dhe metodat e luftës së Izraelit po u shkaktojnë vuajtje të tmerrshme dhe të paarsyeshme palestinezëve në Gazë”, i tha Turk organit me 47 vende anëtare, të cilin autoritetet izraelite e kanë akuzuar rregullisht për paragjykime anti-Izrael.
Shefi i të drejtave vuri në dukje një rritje të viktimave civile në Ukrainë, gati 3 vjet e gjysmë pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
Ai gjithashtu dënoi ekzekutimet pa një gjyq të drejtë dhe dhunën seksuale në shkallë të gjerë, përfshirë edhe kundër fëmijëve në Sudan.
Seanca e këshillit, e cila është shkurtuar me dy ditë e gjysmë për shkak të problemeve të financimit në OKB, do të zgjasë deri më 9 korrik.
Këshilli me seli në Gjenevë është organi më i lartë i të drejtave të njeriut i OKB-së.
/rtsh.al/