E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB diskuton të hënën raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të diskutojë të hënën raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon për gjendjen në Kosovë, në të cilin ai u kërkon autoriteteve të Prishtinës që të jenë të kujdesshme në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut me shumicë serbe.

Në debatin e rregullt për Kosovës që mbahet çdo tre muaj, Prishtina dhe Beogradi do të përfaqësohen nga ministrat e jashtëm, Skënder Hyseni e Vuk Jeremiç.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përfshin periudhën dhjetor-mars, gjatë së cilës Zyra Civile Ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë hartuar një strategji me të cilën synohet shuarja e strukturave paralele serbe në veri dhe vendosja e autoritetit të Prishtinës atje.

Ban ka tërhequr vërejtjen për mundësinë e rritjes së tensioneve ndëretnike në veri të vendit, nëse strategjia nuk zbatohet në mënyrë transparente dhe në dialog me komunitetet.

Por në debatin e nesërm në Nju Jork nuk përjashtohet mundësia e hapjes edhe të çështjeve tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç është largimi i antenave të operatorëve të jashtëligjshëm të telefonisë mobile serbe në Kosovë si dhe aksioni i EULEX-it kundër korrupsionit, që përfshiu bastisjen në Ministrinë e Transportit dhe në pronat e ministrit Limaj.

Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, nëse këto dy çështje do të ngriten për diskutim nga ana e përfaqësuesit të Serbisë, ministri i jashtëm kosovar do të theksojë angazhimin e autoriteteve të Prishtinës për sundimin e ligjit dhe do t'u shmanget provokimit të reagimeve negative.

Ndërkohë Ministria e Jashtme ka njoftuar se ministri Skënder Hyseni do të shfrytëzojë vizitën në Nju Jork, për të takuar përfaqësues të përhershëm të vendeve të ndryshme në OKB-së, tek të cilët do të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. /bbc/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›