E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: “Zgjedhorja” po ecën ngadalë! Tarran: Rekomandimet e ODIHR të jenë baza kryesore e punës

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thotë se puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka ecur ngadalë, por është për t’u përshëndetur rifillimi i aktivitetit dhe fokusi në çështje të rëndësishme si financimi i partive politike.

Në një deklaratë për mediat nga Pogradeci, ambasadori i i OSBE-së Michel Tarran theksoi se rekomandimet e ODIHR janë baza kryesore e punës.

“Ne nuk jemi këtu për të propozuar një model. Çdo vend ka sistemin e vet dhe sfidat e veta në organizimin e zgjedhjeve. Rekomandimet e ODIHR vijnë pas çdo procesi zgjedhor dhe ne jemi këtu për të ndihmuar në zbatimin e tyre”, tha ambasadori Tarran.

Në lidhje me diskutimet për uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 100, OSBE theksoi se ky është një debat politik i brendshëm dhe se çdo vend ka realitetin e tij demografik dhe institucional.

“Ka vende me 250 apo 300 deputetë, dhe këto janë zgjedhje që varen nga struktura e çdo shteti. Nuk është rol i yni të komentojmë aspektet teknike”, tha ambasadori.

Sa i përket Reformës Territoriale ambasadori Tarran u shpreh se nuk ka ende një vendim për hartën e re administrative dhe se kjo mbetet një çështje në kompetencë të institucioneve shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›