“OTP”, banka e vitit 2023, hapet pikë e re shërbimi tek ish-Stacioni i Trenit

Për të dytin vit radhazi, banka OTP përzgjidhet nga “The Banker” si banka e vitit 2023 për Shqipërinë, duke u vlerësuar për pozicionin e konsoliduar në treg dhe për modernizimin e shërbimeve gjatë 12 muajve të fundit.
“U shpallëm si banka më e mirë në Shqipëri. Reflekton edhe një herë tjetër që jemi në rrugën e duhur dhe po zhvillohemi me ritmet që i kemi vendosur vetes tonë, që me ardhjen e grupit OTP në Shqipëri, u bë e qartë që duhet të jemi një nga grupet bankare më të forta në treg, por edhe banka më e mirë. Gjatë këtij viti kemi pasur disa sfida, mes të cilave ka qenë edhe bashkimi me Alfa Bank. Kjo gjë është mjaft pozitive dhe na jep shtysë për tu rritur më tej dhe për tu përmirësuar. Ky bashkim për klientët tanë ka shumë benefite sepse së pari, jemi një bankë më e madhe, jemi me 50 degë në të gjithë Shqipërinë. Kemi një rrjet të gjerë ATM, mbi 200 ATM, banka me numrin më të madh të ATM në Shqipëri. Kemi një rrjet të gjerë POS, pika të shërbimit të pagesave me kartë”, tha Bledar Shella, CEO i OTP Bank Albania.
Vlerësimi me çmim për drejtuesit e bankës do të thotë njohje e punës së bërë dhe shtysë për ta përmirësuar më tej shërbimin për klientin. Në këtë drejtim shërben edhe pika e re e bankës OTP e hapur te zona e ish-Stacionit të Trenit në Tiranë, ku klientët do të kenë mundësinë të aksesojnë të gjithë gamën e produkteve të bankës.
“Këtu jemi në një degë të re të bankës OTP, me investime bashkëkohore për të dhënë një cilësi shërbimi sa më të mirë për klientët tanë. Fokusi jonë është kënaqësia e klientit dhe kjo udhëheq punën tonë. Të jemi të mëdhenj është një nga synimet tona, por më e rëndësishme është të jemi banka me kënaqësinë më të madhe të klientëve”, shtoi Shella.
OTP Albania është pjesë e OTP Group, një ndër grupet bankare lider dhe me rritjen më të lartë në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, me përfitueshmëri të jashtëzakonshme dhe pozicion kapitali e likuiditeti të qëndrueshëm. Sot Grupi është në 12 vende të rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Azisë Qendrore./vizionplus.tv