Obama nis fushatën zgjedhore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka nisur fushatën për rizgjedhje në postin e kreut të shtëpisë së bardhë. Ai ka preferuar të shkojë në Kolumbus, Ohajo për tubimin e parë zyrtar, ku edhe ka shpalosur sulmet verbale ndaj rivalit republikan, Mit Romni.
Obama u ka thënë mbështetësve entuziastë se Romni përkrah ide të këqija, si shkurtime të taksave për të pasurit dhe shkurtime në shpenzimet për programet sociale. “Kjo është zgjedhja në këto zgjedhje dhe kjo është arsyeja përse kandidoj për mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Obama.
Më pas, ai u është drejtuar mbështetësve edhe në Riçmond të Virxhinias. Edhe Ohajo, edhe Virxhinia shihen si shtete kyçe për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Obama ka përpara një betejë të vështirë, në një klimë politike të polarizuar nga papunësia dhe rritja e dobët ekonomike.
Problemet ekonomike që ai trashëgoi dhe që është përpjekur të zgjidhë gjatë kohës në detyrë tani do të diktojnë fatin e tij në zgjedhjet e nëntorit. Presidenti tha në fjalimin e tij të përjavshëm se rimëkëmbja nga kriza më e rëndë që nga Depresioni i Madh është një punë që kërkon kohë.