E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama përshëndet amerikanët si fitues (VIDEO)

Presidenti i rizgjedhur Barack Obama në një fjalim emocionues përpara mbështetësve të tij në Chicago, por edhe përpara gjithë popullit amerikan vlerësoi fushatën elektorale, kundërshtarin e tij në këtë garë, falenderoi familjen dhe ekipin e tij mbështetës, si dhe të gjithë votuesit që votuan për të dhe për sfidantin Mitt Romney.

“Demokracia në një komb pej 300 milionësh mund të jetë e komplikuar, ne kemi opinionin tonë, kemi besimet tona. Vula e lirisë sonë, janë argumenti ynë”, tha Obama, duke vlerësuar procesin zgjedhor të 6 nëntorit. Obama theksoi se për Amerikën,më e mira duhet të vijë.

Po ashtu Presidenti kujtoi se çdo njeri në këtë komb ka të drejtë për një jetë më të mirë, më të zhvilluar, më të përparuar, më të sigurt dhe më të fortë ekonomikisht.

“Ne duam të jetojmë në një komb të respektuar, të sigurtë, që mbrohet nga trupat më të mira që kjo botë ka njohur ndonjëherë,por gjithashtu në një vend që ecën përpara me besim për të përvetësuar paqen. Ne besojmë në një Amerikë bujare, në një Amerikë tolerante, të hapur për ëndrrat e fëmijëve të emigrantëve që duan të studiojnë në shkollat tona dhe të marrin këtu një edukim, për një vend më të mirë për të rinjtë dhe për të varfërit”, tha Obama.

Presidenti theksoi se demokratët kanë shpresa të mëdha për të ardhmen për të krijuar konsensus, për të arritur kompromise për ta çuar vendin përpara.

“Ju më keni bërë një president më të mirë, Unë kthehem në Shtëpinë e Bardhë i sigurt për rrugën që duhet bërë dhe të ardhmen që na pret”, tha Obama. Presidenti premtoi se do të punojë me partitë për të arritur progres në këtë vend, për të patur më shumë vende pune, për të përmirësuar jetën.

Por Obama iu kujtoi qytetarëve amerikane se puna e tyre nuk ka mbaruar vetëm duke hedhur votën në këto zgjedhje presidenciale.

“Roli i qytetarëve nuk përfundon me dhënien e votës. Të gjithë duhet të punojmë për këtë vend. Ky komb ka më shumë pasuri se çdo vend tjetër, kemi ushtrinë më të fortë, kemi shkollat më të mira, por nuk na bëjnë këto gjëra të jemi më të mirë se të tjerët. Ne duhet që të të pranojmë përgjegjësi të përbashkëta për të ardhmen dhe për brezat që do të vijnë”, tha Obama./TCH

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›