Oferta, Bregu: Në çdo kohë, jemi gati për pakt kushtetues
Qeveria pro ngritjes së komisionit hetimor, madje i kryesuar nga PS
Të gjitha amendamentet që opozita do të propozojë për zgjedhjet e ardhshme, do të miratohen nga mazhoranca në Parlament. Por, sipas demokratëve, e majta duhet të tregohet e përgjegjshme dhe të pranojë ofertën e demokratëve që zgjidh situatën e krizës, në të mirë të vendit. Lidhur me këtë çështje, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në emër të qeverisë përsëriti edhe një herë ofertën e saj për opozitën për zgjidhjen e kërkesave të kësaj të fundit në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit. Në një deklaratë për shtyp, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në rolin e zëdhënëses së qeverisë, sqaroi se në Shqipëri mund të bëhet transparenca e çdo dokumenti, përveç çështjeve që kanë një vendim gjykate.
Rikonfirmojmë publikisht edhe një herë se mazhoranca legjitime e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit i ka ofruar opozitës për zgjidhjen e qëndrimit të saj ndaj Parlamentit jo vetëm pjesëmarrje në Komisionin Hetimor Parlamentar, por edhe shumicën me votë në këtë komision, si dhe kryesimin e tij, për të mundësuar hetimin e çdo çështjeje që lidhet me zgjedhjet, përveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate. Këto të fundit opozita ka mundësinë ti ndjekë dhe ti zgjidhë në rrugë gjyqësore. Rikonfirmojmë se qeveria është e hapur që opozitës t'i krijohen të gjitha kushtet që të paraqesë në prokurori për hetim të mëtejshëm e të plotë çdo akt apo dokument që ajo disponon mbi pretendimet e saj, - deklaroi znj. Bregu. Ajo rikonfirmoi më tej: I kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias. Garantojmë se këto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në Parlament. Këto deklarata, ministrja Bregu i bëri pasi përshëndeti në emër të qeverisë shqiptare qëndrimin e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James Steinberg, i cili rikonfirmoi qëndrimin e SHBA-ve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, duke thënë se Kryeministri Berisha është udhëheqësi legjitim i shqiptarëve.
"Qeveria shqiptare përshëndet deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James Steinberg, i cili riafirmon qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe institucioneve legjitime shqiptare. Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg, vlerëson përpjekjet e kryetarëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe Martin Schultz, për zgjidhjen e problemit të qëndrimit të opozitës shqiptare ndaj Parlamentit dhe zgjedhjeve të 28 qershorit, - deklaroi znj. Bregu.