E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i policisë humb jetën tragjikisht gjatë ndjekjes së një SUV-i, ndalohen dy shtetas shqiptarë

Prokuroria e Milanos ka hedhur dritë mbi dinamikën fillestare të aksidentit tragjik ku humbi jetën oficeri i policisë lokale, 39-vjeçari Francesco Imprezzabile, gjatë një ndjekjeje policore mbrëmjen e së hënës në Peschiera Borromeo. Autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas shqiptar 27-vjeçar si drejtues të mjetit që iu shmang postbllokut, ndërsa hetimet e para hedhin poshtë hipotezat mbi një përplasje të qëllimtë.

Ecuria e hetimeve dhe arrestimi i të dyshuarve

Pas gjetjes së mjetit tip SUV të braktisur në Pioltello, jo shumë larg vendit të ngjarjes, forcat e rendit arritën të lokalizojnë personat që ndodheshin në automjet gjatë arratisë.

Shoferi i dyshuar, i quajtur B. G, u gjurmua të martën në provincën e Monzas dhe Brianzas dhe u ndalua së bashku me një person tjetër. Policia tha se të dyshuarit ishin të dy shtetas të rinj shqiptarë.

Përjashtohet hipoteza e nxjerrjes nga rruga

Pika kyçe e verifikimeve të fundit nga grupi hetimor lidhet me shkakun e rrëzimit fatal të oficerit Imprezzabile nga motoçikleta e tij e shërbimit. Sipas prokurorëve, rrëzimi nuk ka ardhur si pasojë e një manovre agresive direkte nga ana e personit që po ndiqej.

“Bazuar në hetimet fillestare, prokurorët e Milanos kanë përjashtuar hipotezën se aksidenti fatal është shkaktuar qëllimisht nga SUV që e nxori Imprezzabilen nga rruga.”, shkruan ANSA.

Oficeri, i cili u dërgua me urgjencë përmes një ambulance ajrore në spitalin Niguarda të Milanos, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë në ambientet e këtij spitali. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive ligjore të dy të ndaluarve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›