Oficeri i ushtrisë vetëvritet brenda Ministrisë së Mbrojtjes
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme pikërisht në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes ku një oficer është gjendur i vetëvrarë në vendin e shërbimit, ndërsa dyshohet se ushtaraku i ka dhënë fund jetës në kushte depresioni për shkak të problemeve ekonomike. Viktima që u gjet nga kolegët pak minuta më pas i pajetë, është Gëzim Tare, 53 vjeç, nga Gramshi dhe banues në kryeqytet, me shumë vite karrierë në ushtri si oficer ndërlidhjeje, por edhe një familjar i rregullt. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, pjesa ku është vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Ushtaraku i cili ishte pjesë e shërbimit të ndërlidhjes në turnin e tretë, ka qëlluar veten në kokë me pistoletën personale të shërbimit. Trupi sipas hetimeve që po kryen Policia Ushtarake, Prokuroria dhe Policia e Tiranës, u gjet në mëngjes kurse ngjarja mendohet të ketë ndodhur diku rreth orës 04:30.
Hetimet
Policia Ushtarake ka administruar provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes, duke qenë se ambienti i Ministrisë së Mbrojtjes është në kompetencat e saj, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, motiveve të saj dhe më tej marrjen në pyetje të familjarëve. Menjëherë sapo u njoftuan për këtë ngjarje, në dikaster kanë shkuar edhe drejtues të lartë, kurse pista e vetme sipas hetimeve të kryera është ajo e vetëvrasjes. Këqyrja e trupit, vendngjarjes dhe shenjave të tjera, flasin për një flijim të ushtarakut në vendin e punës ku shërbente në turnin e tretë në zyrën e tij të ndërlidhjes. Edhe Policia e Tiranës konfirmoi këtë fakt, duke lënë prokurorinë për veprime të mëtejshme.
Shkaqet e vetëvrasjes, depresioni
Kurse për shkaqet e ngjarjes dyshohet se bëhet fjalë për një depresion që ka përjetuar gjatë muajve të fundit Tare, pasi ka pasur probleme ekonomike. Mësohet paraprakisht për një kredi biznesi që mund të ketë përfituar kohë më parë dhe vështirësitë që ka hasur, përveç problemeve të tjera sociale. Gjithsesi këto janë të dhënat paraprake të hetimit, pasi në orët e mëvonshme pritet zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje. Tare njihej si një ushtarak korrekt në detyrë dhe nuk ka pasur probleme as me eprorët dhe as me kolegët. Gjithashtu nuk ka shfaqur shqetësime që të mund ta çonin deri në këtë akt. Zyrat e Ndërlidhjes ndodhen brenda godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, por në pjesën ku është i vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.