Oleksandr Zinchenko tregon tmerrin e luftës në Ukrainë

“Jam i tmerruar kur mendoj se si janë mësuar njerëzit këtu në Ukrainë me luftën. Përditshmëria e re nën tensionin e sulmeve nga ajri më fut frikën”. Oleksandr Zinchenko është rikthyer në vendlindje për ti treguar botës se çfarë pasojash ka lënë agresioni rus në Ukrainë.
Së bashku me bashkëkombësin e tij Andriy Shevchenko, mbrojtësi i Arsenal-it është rikthyer në vendlindje për të dokumentuar dhe sensibilizuar globin për atë çfarë po ndodh në Ukrainë.
“Kjo është një luftë e vërtetë, është një makth i vërtetë pasi njerëzit janë mësuar me rutinën e kësaj tragjedie. Nga ana tjetër Rusia bombardon pa pushin nga ora 01:00 e natës deri në 05:00 të mëngjesit. Sirenat nuk pushojnë tërë natës. Mbase kështu duan që të tmerrojnë popullatën. Imagjinoni sikur të jeni duke fjetur me fëmijët tuaj pranë dhe nga momenti në moment të dëgjoni sirenat e bombardimeve”, rrëfen Oleksandr Zinchenko.
Mbrojtësi i Arsenal që prej nisjes të agresionit rus kundrejt Ukrainës ka qenë në krah të bashkëkombësve të tij. Ai ka hapur një platform në internet ku grumbullon fonde për Ukrainën si dhe grumbullon fakte dhe histori në lidhje me atë çfarë po ndodh në lindje me qëllim që të sensibilizojë botën.
Së bashku me Andriy Shevchenko-n, Zinchenko po përpiqet që të organizojë një ndeshje miqësore në “Stamford Bridge” ku të gjitha fondet e fituara do të shkojnë për rindërtimin e një shkolle të shkatërruar plotësisht në Chernihiv.