E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Gara brenda PD-së, reale dhe një proces vlerash

TIRANË-Partia Demokratike, si formacioni më i madh politik i së djathtës në vend, tashmë po kthen në standard edhe garën brenda "shtëpisë", deklaroi kandidati për postin e Kryetarit të PD-së, Sokol Olldashi.

Gjatë takimeve me Forumin Rinor dhe Grupseksionet: 2,3,4,8,9,10 në Tiranë, ai theksoi se kjo garë, e para në këtë format, është një proces dinjitoz vlerash që po krijon edhe një traditë.

"Është një garë që në mënyrën sesi po zhvillohet, është e para në Partinë Demokratike dhe do të konsolidojë edhe një shtrat për proceset zgjedhore që do të zhvillohen në të ardhmen", tha Olldashi gjatë takimeve me strukturat e Grupseksioneve 8, 9 dhe 10 në Tiranë.

Ndërkohë në një tjetër bashkëbisedim me anëtarë dhe drejtues të PD-së të njësive 3 dhe 4 po në Tiranë, Sokol Olldashi ritheksoi modifikimin e lidhjes mes nivelit politik dhe qelizës bazë të partisë, militantit.

"Ristrukturimi dhe rivitalizimi i PD-se nuk nis me kryetarin e ri, cilido që të zgjidhet. Rivitalizimi i Partisë Demokratike nis me rivendosjen e marrëdhënies mes nivelit politik të partisë dhe anëtarit të saj, këtu fillon ringritja", tha ai.

Me demokratët e Njësisë 2 në Kryeqytet, Olldashi foli për platformën e tij për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike, në përballjen e parë elektorale.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›