Olldashi: Sheshi "Skenderbej", jo punimeve pa leje
Rozeta Rapushi
Qeveria nuk ka ndermend qe te lejoje punimet ne sheshin Skenderbej, pa u miratuar me pare plani ne Keshillin e Rregullimit te Territorit. Ministri i Transporteve dhe Puneve Publike, Sokol Olldashi, tha dje se ajo cka po ben kryetari i Bashkise se Tiranes ne shesh, eshte zbatimi i nje plani, i cili nuk eshte i aprovuar me pare KRRTRSH. "Ligjerisht qendra e Tiranes, ka nje plan te aprovuar, qe eshte plani francez. Nese do te behet nje ndryshim i ketij plani, eshte e domosdoshme qe te paraqitet per miratim ne Keshillin e Rregullimit te Territorit te RSH. Gje qe nuk ka ndodhur. Ndryshimet nga plani francez, jane te thella dhe per me keq akoma ato jane teresisht klienteliste. Ne nuk kemi ndermend qe te lejojme, qe pa plan te miratuar, te shpenzohen fonde te kontraktuara nga qeveria e Shqiperise", beri te qarte Olldashi. Keshtu, ai e ftoi kreun e Bashkise se Tiranes, njekohesisht te Partise Socialiste, Edi Rama, qe te reagoje shpejt por kete radhe edhe ne menyre ligjore, duke e derguar planin per miratim dhe shqyrtim ne KRRTRSH. Sipas tij, kjo eshte e vetmja menyre per zbatimin me planin, pasi keshtu si po vepron Rama eshte ne kundershtim flagrant edhe me ligjin per Urbanistiken edhe me vendimin 180 te vitit 2000 te Keshillit te Ministrave, ku ministri Olldashi theksoi se Rama ka qene anetar ne ate kohe. "Ne ligjin per Urbanistiken por edhe ne vendimin e Keshillit te Ministrave te vitit 2000, ku Rama ka qene anetar, parashikohet menyra se si nderhyhet ne ansamblin monument kulture te Tiranes, qe shtrihet nga sheshi "Nene Tereza", deri ne tek stacioni i trenit", permendi Olldashi. Ministri pershendeti shpejtesine me te cilin Kryetari i Bashkise se Tiranes nisi punimet ne shesh, vetem dy dite pas nderhyrjes nga ana e topografeve te Drejtorise se Pergjithshme te Rrugeve per asfaltimin e tij. Por nga ana tjeter ministri beri te qarte se plani i Rames, nuk do te zbatohet nese nuk do te miratohet me pare ne KRRTRSH. "Nuk do te lejojme, qe te shperdorohen fondet e qytetareve. Projekti i Rames, ka pesuar ndryshime, qe nuk jane miratuar ne KRRTRSH dhe plani i tij eshte klientelist", tha Olldashi. Reagimi i Ministrit, u be menjehere pasi kreu i Bashkise, Rama peruroi nisjen e punimeve ne sheshin "Skenderbej". Inaugurimi u be dje, nderkohe qe dy dite me pare ne mbremje, nisi rrethimi i tij me rrjeta teli per te nisur sa me pare nga puna.
Perplasjet historike Rama-Olldashi
Nuk eshte hera e pare, qe Ministri Sokol Olldashi dhe kreu i Bashkise se Tiranes, Edi Rama, perplasen publikisht per ceshtje te tilla. Nje situate e tille debati, e krijuar per sheshin "Skenderbej", nuk ka se si mos te te kujtoje konfliktet per Zogun e Zi qe sollen deri ne lenien pergjysme te realizimit te projektit. Edhe ne kete rast, Bashkia e Tiranes ka "akuzuar" qeverine se ceshtja po behet "Zog i Zi" dhe se bashkia nuk ka nevoje per asfalt qeveritar. Ndersa kryeministri Sali Berisha ka kerkuar shtrimin me asfalt te sheshit, ka reaguar ashper bashkia, duke u shprehur se ky institucion e ka gati nje projekt ambicioz per qendren.
Berisha: Urgjence per asfaltimin e sheshit
Kryeministri Sali Berisha mandatoi pak dite me pare, Ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, qe te bashkepunoje me autoritet vendore te Tiranes, te marre masa te menjehershme per rikonstruksionin e sheshit "Skenderbej", duke bere fillimisht planin e asfaltimit te tij. Ne mbledhjen e qeverise se 24 marsit, kreu i qeverise kerkoi nderhyrje te menjehershme ne shesh, duke e thene se ai eshte ne nje gjendje katastrofale, horrorri. "Kerkojme me urgjence planin e asfaltimit te sheshit. Nuk munden qe lobe te caktuara, interesa hotelesh te bllokojne sheshin e qytetit", tha kreu i qeverise Berisha. Sipas tij, qeveria do te marre te gjitha pergjegjesite, pasi ndonese fondet per rindertimin e sheshit ekzistojne prej dy vjetesh, gjendja e tij aktuale vijon te jete e turpshme per Tiranen. Duke theksuar se nuk do te kete nderhyrje ne kompetencat e qeverise vendore, kryeministri tha se disa rregullime jane nevoje emergjente deri ne perzgjedhjen e planit perfundimtar, i cili do ta shnderroje teresisht sheshin "Skenderbej". Berisha permendi se cdo i huaj qe vjen ne Shqiperi, mendon se Bashkise se Tiranes nuk i jepet asnje qindarke, se nuk ka njeri qe mund te mendoje se sheshi lihet me qellim ne ate menyre. Ndaj ai i kerkoi Olldashit qe, qe te nise te kontaktoje me ish konkurrentin e tij per postin e kryetarit te Bashkise se Tiranes ne vitin 2007, Edi Ramen. "Ka te pakten dy vjet qe parate jane disponibel. Te gjithe fajesojne qeverine, sepse mendojne qe nuk ka dhene fonde. Ne nuk mund ta pranojme me kete shesh me gropa", vijoi kryeministri. Por menjehere sapo Qeveria shpalli se do te ndertoje sheshin nderhyri Bashkia duke rrethuar sheshin.