E Diel, 1 Nëntor 2026

Omari KQZ fajtori per post-zgjedhjet

Juristi Luan Omari, duke komentuar situatën post-zgjedhore në vend, ka nënvizuar se tensionet kanë ardhur si pasojë e politizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor u deformua karakteri apolitik i KQZ-së, që ishte përcaktuar në Kushtetutë. Nga ky organ nuk mund të presësh ndonjë gjë më të mirë. Vetë sistemi i krijimit të KQZ-së është negativ dhe kjo është vënë re nga politikanë dhe juristë”, ka pohuar Omari.

Sa për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, eksperti i fushës juridike ka nënvizuar se ai nuk ishte shumë i qartë dhe ka sugjeruar ngritjen e një instance të dytë në këtë institucion.

“Do të ishte mirë që edhe Kolegji të kishte dy shkallë, që nëse do të kishte kundërshtime, ankimimi të shkonte në një instancë të dytë. Ky propozim është racional, është një parim që cdo instancë gjyqësore duhet të ketë një instancë më të lartë”, ka nënvizuar Omari.

“Vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor ishte pak i ngatërruar, jo shumë i qartë. Këtë e pohuan edhe specialistë të tjerë”, ka vijuar ai.

Zoti Omari është shprehur pro ndërhyrjes së Komisionit të Venecias në këtë cështje, por ka nënvizuar se ndërhyrja nuk mund të kërkohet nga partitë politike.

“Opinioni i Komisionit të Venecias do të na ndihmonte pasi është një organ me shumë prestigj në Evropë. Madje, ai është zgjeruar pasi ka përfaqësues edhe nga vende të tjera jashtë Evropës. Por ndihmën nuk mund ta kërkojnë partitë politike, por mund ta bëjë Këshilli i Evropës dhe kjo ka një procedurë mjaft të gjatë”, ka deklaruar Omari.

Më tej, duke u shprehur edhe kundër ndryshimeve kushtetuese, Omari ka vlerësuar se, për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›