E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion antidrogë në Maliq/ Zbulohet ‘shtëpi bari’ poshtë kotecit të pulave, një person i arrestuar

Hetimet proaktive të Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë kanë çuar në goditjen e një rasti të kultivimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike në fshatin Vreshtas, në Bashkinë Maliq.

Si rezultat i operacionit është arrestuar shtetasi K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, u zbulua një ambient i fshehtë i ndërtuar nën një kotec shpendësh, i maskuar dhe i përshtatur posaçërisht për kultivimin dhe tharjen e cannabis sativa.

Hyrja në ambient realizohej përmes një hapësire të improvizuar, e cila të çonte në një dhomë të ndërtuar nën tokë.

Nga këqyrja rezultoi se ambienti ishte organizuar në mënyrë profesionale, me sisteme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje, materiale termoizoluese për ruajtjen e temperaturës dhe lagështirës, si dhe një sistem të posaçëm ujitjeje për bimët narkotike.

Në këtë hapësirë u gjetën zona të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike, ku cannabis sativa ishte varur në struktura të improvizuara, ndërsa në dysheme u konstatuan dhjetëra vazo me mbetje kërcelli të bimëve të prera.

Gjatë operacionit u sekuestruan:

  • rreth 5.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa
  • një sasi e vogël e dyshuar kokainë
  • pajisje për kultivim dhe përpunim droge
  • peshore elektronike
  • llampa ndriçimi dhe sisteme ventilimi
  • një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar

Hetuesit zbuluan gjithashtu se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin e shpërndarjes.

Prokuroria e Korçës bëri me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›