Operacioni “Daku” në Itali, goditet rrjeti i drogës – 28 shqiptarë të arrestuar, dalin emrat e të përfshirëve

Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar në Itali ka çuar në arrestimin e 28 shtetasve shqiptarë, të akuzuar për organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.
Aksioni, i koduar “Daku” dhe i nisur që në vitin 2023 nga Drejtoria Antimafia e Trentos, u finalizua në orët e para të mëngjesit me ndërhyrjen e dhjetëra agjentëve në disa qytete të rajonit Alto Adige.
Sipas hetimeve, grupi i strukturuar merrej me importin e drogës nga Belgjika dhe Spanja, si dhe me shpërndarjen e saj në territorin italian përmes një rrjeti të organizuar korrierësh dhe shpërndarësish. Gjatë operacionit u sekuestruan 24 kilogramë kokainë e pastër, 23 kilogramë marijuanë, 5.6 kilogramë hashash, 76 mijë euro cash dhe një armë zjarri.
Hetimet kanë dokumentuar mbi 150 raste të shpërndarjes së drogës, ndërsa anëtarët e grupit përdornin metoda të sofistikuara për të shmangur përgjimet, përfshirë komunikime të koduara dhe përdorimin e numrave fiktivë në aplikacione si WhatsApp, Facebook, Instagram dhe Signal.
Sipas autoriteteve italiane dhe dokumenteve të Tribunale di Trento, organizata funksiononte në grupe të ndara që shpesh nuk njiheshin mes tyre, duke mbuluar të gjithë zinxhirin e trafikut – nga furnizimi, transporti dhe magazinimi, deri te shpërndarja dhe mbledhja e të ardhurave, shpesh edhe përmes dhunës. Grupi konsiderohet si një organizatë e armatosur me aktivitet të përqendruar kryesisht në zonën e Bolzano, por edhe përtej saj.
Emrat e personave të përfshirë sipas dosjes hetimore:
Ard Kanapari, Altin Kanapari, Armand Shehi, Selman Ballasheni, Demostene Cufalaj, Klodian Begeja, Vincenzo Agresti, Jacopo Biancocini, Selman Cerraga, Marvin Çeliku, Adrian Dervishi, David Prenova, Mustapha El Hachim, Youssef El Hachim, Morsen Feki, Ervin Gjoka, Daniel Guço, Ilka Kociu, Luca Griseldi, Luca Matarazzo, Mirko Minattizzi, Antonio Oracolo, Ardjan Prifti, Armand Sula, Diamant Veliu, Katin Sherfelli dhe Cirtler Katlin.
Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës.
