E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Halfway”, arrestohen dy persona që transportonin 15 emigrantë drejt Malit të Zi

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Dy persona janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës 15 emigrantë nga vende të Afrikës, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Malit të Zi.

Policia e Shtetit njoftoi se operacioni i koduar “Halfway” u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga ranë shtetasit E. A., 22 vjeç dhe M. F., 19 vjeç, të dy banues në Fushë-Arrëz.

Sipas Policisë, dy të arrestuarit u kapën në fshatin Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, duke transportuar me një automjet tip furgon 15 emigrantët, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në territorin malazez.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që përdorej për transportin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›