E Hënë, 2 Nëntor 2026

Operacioni “Plazhi i Lirë”, policia liron hapësira publike në Golem, sekuestrohen qindra çadra e shezlongë

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i Lirë”, me fokus çlirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, dy hapësira në plazhin e Golemit janë liruar dhe një person është proceduar penalisht.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë ushtruar kontrolle të thelluara në vijën bregdetare të Golemit, ku janë identifikuar dhe hequr 190 komplete me çadra dhe shezlongë të vendosura pa lejen përkatëse. Këto pajisje u sekuestruan pasi ishin vendosur në mënyrë të paligjshme nga një shtetase, e cila pretendonte se kishte leje shfrytëzimi, si dhe nga një qytetar tjetër. Në vijim të veprimeve ligjore, materialet i janë referuar Prokurorisë dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen me inicialet L. S., banuese në Tiranë.”, thuhet në njoftim.

Policia thekson se operacioni “Plazhi i Lirë” do të vijojë me kontrolle të shtuara përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Qëllimi është garantimi i hapësirave të lira për pushuesit dhe verifikimi i ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve që operojnë gjatë sezonit veror.

Kjo masë synon të sigurojë që plazhet publike të jenë të aksesueshme për të gjithë qytetarët, duke parandaluar zënin e paligjshëm të tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›