E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Operatorë turistikë hungarezë vizitojnë AKT-në, Çela: Të punojmë së bashku për të promovuar Shqipërinë

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Një grup prej 24 operatorësh turistikë dhe përfaqësues të Shoqatës Hungareze të Agjencive të Udhëtimit u pritën sot nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në Tiranë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela u prezantoi të ftuarve Shqipërinë, një destinacion turistik emocionues dhe në rritje.

“Shqipëria, në zemër të Ballkanit ofron një përzierje emocionuese mes aventurës, kulturës dhe relaksit. Me fluturime direkte dhe të shkurtra nga Hungaria, ajo paraqet një mundësi fantastike për t’u prezantuar operatorëve turistikë dhe udhëtarëve. Shqipëria ka zgjeruar me sukses turizmin e saj gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë vendin. Vizioni i qeverisë shqiptare shkon përtej rritjes ekonomike, duke u fokusuar në zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë. Fushat kryesore përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, qëndrueshmërinë dhe adresimin e sfidave të sezonit. Legjislacioni inkurajon investimet private dhe tërheq markat kryesore ndërkombëtare. Vlerësojmë interesin tuaj dhe shpresoj se kjo vizitë do të frymëzojë partneritete të reja dhe mundësi për turizmin. Mezi presim të punojmë së bashku për të promovuar Shqipërinë dhe për të siguruar përvoja të paharrueshme për klientët tuaj”, theksoi drejtoresha e AKT-së.

Ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik në fjalën përshëndetëse nënvizoi se numri i vizitorëve hungareze në Shqipëri, sa vjen dhe rritet.

“Vetëm në 2024 rreth 60 mijë shtetas hungarezë erdhën në Shqipëri. Turoperatorët hungarezë janë këtu për të zbuluar çfarë Shqipëria ofron”, u shpreh ambasadorja Kasnyik.

Kjo është hera e parë që një numër kaq i madh i operatorëve turistikë nga Hungaria vjen në Shqipëri.

1 nga 10

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›