Operatori bërthamor i Ukrainës: Njësitë e energjisë në centralin Zaporizhzhia mbeten në modalitetin e ftohjes

Presidenti i kompanisë shtetërore bërthamore të Ukrainës – Energoatom – në një intervist për CNN tha se njësitë e energjisë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia mbeten në gjendje ftohëse ndërkohë që puna vazhdon për të rivendosur linjat e energjisë nga centrali.
Petro Kotin tha se të shtatë linjat që lidhen me termocentralin ishin dëmtuar dhe se kishte kaluar në atë që ai e quajti “modaliteti ishullor” – ku centrali furnizonte energji elektrike vetëm për vete.
“Ne u përpoqëm të zgjasnim funksionimin e një prej njësive tona të energjisë për sa më gjatë që të ishte e mundur, edhe në kushtet kur ai funksiononte në modalitetin ishullor. Na funksionoi për tre ditë,” tha Kotin.
Kotin tha se vetëm një nga gjashtë njësitë e energjisë mbeti duke punuar dhe po furnizonte nevojat e centralit – energjinë elektrike të nevojshme për pompat që ftohin materialin bërthamor. Reaktorët “janë plot me materiale bërthamore, lëndë djegëse dhe gjithashtu ka gjashtë pishina që ndodhen pranë reaktorëve në çdo njësi të energjisë. Ata duhet të ftohen vazhdimisht,” tha ai.
“Rreziku është se nëse nuk ka furnizim me energji elektrike, pompat do të ndalojnë dhe nuk do të ketë ftohje, dhe për rreth një orë e gjysmë deri në dy orë do të keni një shkrirje të këtij karburanti që është në reaktor,” shtoi ai. .
Kotin përsëriti se kur nuk ka furnizim të jashtëm me energji elektrike, gjeneratorët me naftë mund të hyjnë. “Nga sot, gjeneratorët me naftë mund të punojnë atje për dhjetë ditë.”
“Ne gjithashtu po bëjmë çmos për të siguruar furnizime shtesë. Por ne e kuptojmë se është shumë e vështirë të futet diçka atje. Hekurudha është e dëmtuar, kështu që mund të bëhet vetëm me automjete,” tha ai.
“Nëse tani ka një humbje të fuqisë së jashtme, atëherë do të kemi vetëm një opsion. Gjeneratorët me naftë,” shtoi ai.
Kotin tha se përfaqësuesit e mbikëqyrësit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), mbetën në central. “Ata kanë dy herë në ditë takime me menaxhmentin e uzinës, kështu që kanë të gjitha informacionet aktuale për funksionimin e uzinës”, tha ai.
Sa i përket propozimit të IAEA për një zonë sigurie rreth uzinës, Kotin tha: “Ne nuk e kuptojmë plotësisht se çfarë do të thotë saktësisht kjo zonë e sigurisë.”
Ai përsëriti linjën e qeverisë ukrainase se termocentrali duhet të kthehet në kontrollin ukrainas dhe vetë termocentrali dhe zona përreth tij duhet të çmilitarizohen.
rtsh.al/