Opinioni i Komisionit të Venecias, Bardhi: Spiropali të zbatojë dy vendimet e Kushtetueses

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar si “dezinformim” reagimin e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Deputeti demokrat thekson se megjithëse opinioni është publik, Spiropali “tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale”.
“Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon”, shkruan Bardhi.
Bardhi nënvizon më tej se Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor”, thekson Bardhi. /j.p/