Opozita: Vendimi i GJKKO për Ballukun, hap i mirë për drejtësinë

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Opozita reagoi sot në lidhje me masat e marra nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha se “sot është një ditë e mirë për luftën ndaj korrupsionit, për llogaridhënien dhe transparencën”.
“Ky i sotmi është një hap i mire. Por drejtësia për abuzimet qindra milionëshe në vendin më të varfër të Evropës, për krimet elektorale, për mbajtjen e pushtetit me dhunë, për lidhjet me krimin, ka ende rrugë përpara për të bërë. Ne do të qëndrojmë deri në fund, derisa shqiptarët të çlirohen nga këta uzurpatorë të korruptuar”, tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë për mediet nga selia blu u shpreh se misioni i foltore vazhdon.
“Nuk ka alternativë tjetër veç dorëheqjes së Edi Ramës. Kjo është kërkesa jonë dhe kushti i kohës. Kjo e bën misionin e Foltores qytetaro-parlamentare edhe më jetik, kjo e bën lëvizjen opozitare një kërkesë të kohës, kjo e bën rrëzimin e narko-qeverisë një domosdoshmëri kombëtare”, thekson Balliu.
Ndërsa, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj tha se po shkërmoqet një autokraci e korruptuar që ka sunduar për 35 vite ne Shqipëri.
Nga Kryesia e Kuvendit, kryetari i Mundësia deklaroi se ky është momenti për t’u shkëputur përfundimisht nga e kaluara.
“Të korruptuarit që kanë marrë peng këtë vend për mbi 3 dekada po dalin para drejtësisë. Po dalin para drejtësisë ata që kanë vjedhur popullin më të varfër në Evropë. Po dalin para drejtësisë ata që kanë larguar nga Shqipëria miliona shqiptarë në gjithë botën. Po dalin para drejtësisë ata që u kanë mohuar shqiptarëve çdo të drejtë”, tha Shehaj.
Shehaj shtoi se më në fund, edhe në Shqipëri, vendi i të korruptuarve është para drejtësisë.
“Nëse ky është një moment tmerri për pushtetarët e korruptuar, nga ana tjetër ky është një moment shprese për Shqipërinë. Shqiptarët nga sot mund të fillojnë të shikojnë dritën në fund të tunelit. Mund të fillojnë të shikojnë nga e ardhmja. Mund të fillojnë procesin e ndërtimit të një shoqërie perëndimore, demokratike, ku qytetarët kanë të drejta”, tha ai.
Sipas Shehajt ky është momenti për t’u shkëputur përfundimisht nga e kaluara.
“Ky është qëllimi i Partisë Mundësia, dhe ftojmë çdo shqiptar që ëndërron një vend ku mund t’ia dalësh me punë të ndershme, të na bashkoheni”, tha ai.
/m.q/a.f/