Opozita bllokon foltoren, Kuvendi ndërpret debatet dhe kalon në votimin e projektligjeve

Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar në votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare.
Seanca e kësaj të enjteje nisi mes tensioneve, teksa deputetët e Partisë Demokratike zaptuan foltoren menjëherë pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi leximin e rendit të ditës. Situata bëri të pamundur vijimin e diskutimeve parlamentare sipas procedurës së parashikuar.
Përballë kësaj situate, kryetari i Kuvendit njoftoi kërkesën e paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për ndërprerjen e diskutimeve në seancën e sotme dhe kalimin e drejtpërdrejtë në procesin e votimit të projektligjeve.
Kërkesa u hodh në votim dhe mori 76 vota pro dhe 2 kundër, duke u miratuar sipas nenit 49 të Rregullores së Kuvendit. Pas këtij vendimi, seanca vijoi me votimin e akteve të planifikuara në axhendën parlamentare.
Kuvendi vijoi shqyrtimin dhe miratimin e akteve në axhendë, pa zhvilluar diskutimet e planifikuara nga deputetët.E gjitha salla e Kuvendit ka qenë e mbushur me tensione, ndërsa deputetet e PD kanë përmbysur edhe karriget.
Maxhoranca ka argumentuar se projektligjet që lidhen me procesin e integrimit europian dhe negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të vonohen dhe se puna e Kuvendit nuk duhet të bllokohet nga tensionet politike.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vijonte leximin e projektligjeve dhe procesin e votimit në sallë, tensionet mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës u shtuan.
Deputeti demokrat Flamur Noka tentoi t’u heqë kartonët e votimit deputetëve socialistë, ndërsa punonjësit e Gardës ndërhynë për ta penguar.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, Noka arriti të depërtojë mes radhëve të deputetëve, ndërsa seanca vijoi mes përplasjesh dhe tensioni në sallë.
Seanca plenare e kësaj të enjteje përfshin 14 pika në rendin e ditës, mes të cilave katër interpelanca me tre ministra të kabinetit qeveritar, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Punimet do të nisin me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të 8 tetorit, e cila u anulua me urdhër të kryeparlamentarit Niko Peleshi. /rtsh.al/