Opozita çon projektligj në Kuvend: Qeveria të përcaktojë minimumin jetik

Deputetet Albana Vokshi dhe Sorina Koti kanë depozituar në Kuvend një projekt ligj për përcaktimin e minimumit jetik. Projektligji i firmosur nga një grup deputetësh të opozitës, kërkojnë që qeveria të përcaktojë minimin jetik në vend duke vendosur kështu një dysheme për pagesat në mënyrë që çdo qytetar të ketë një jetë dinjitoze.
Nga Kryesia e Kuvendit, Vokshi tha se sipas vlerësimeve minimumi jetik fillon nga 200 euro dhe kjo do të përfshijë edhe pagesat që bëhen për pensionet, pagat e papunësisë, ndihmë sociale.
“Ky projektligj i kërkon qeverisë që brenda një afati 3 mujor të bëjë përcaktimin e minimumit jetik dhe pagesat të fillojnë me këtë dysheme të minimumit jetik. Pas këtij ligji Shqipëria do ketë dyshemenë e minimumit në pagesa. Minimumi fillon në 200 euro që i sigurojnë çdo qytetari blerjen e ushqime dhe artikujve jo ushqimor dhe sigurimin e disa shërbimeve sociale-kulturore për një jetë dinjitoze. Ky minimum jetik përfshinë edhe pagesat e pensioneve, pagat e papunësisë, ndihmë sociale etj”, tha Vokshi.
Vokshi tha se ky projektligj është refuzuar disa herë nga qeveria ndërsa thekson se buxheti i shteti ka fonde për pranimin e këtij projektligji.
“Kur është diskutuar paketa e buxhetit të shtetit 2023 si pjesë e amendamenteve të opozitës ka qenë edhe përcaktimi i minimumit jetik por kjo u refuzua. Kjo kërkon fonde, por para ka në buxhet. Pse Rama duhet të rrisë pagat e deputetëve dhe presidentit apo kryeministrit dhe nuk ka para për qytetarët? Ka para në buxhet por Rama i shpenzon në kompanitë fantazmë të inceneratorëve, për blerjen e votave etj.”, tha Vokshi.
/rtsh.al/