E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita i rikthehet seancës plenare, debate me mazhorancën për rendin e ditës

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nisi me debate mes mazhorancës dhe opozitës, e cila u rikthye në sallën plenare pas disa javësh mungesë.

Debatet u përqendruan te rendi i ditës dhe shqyrtimi i nismave ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian.

Në seancën e sotme janë parashikuar shqyrtimi i raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, projektligji “Për shoqëritë europiane të bashkëpunimit”, si dhe disa projektrezoluta për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe kontrollit.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulat Balla propozoi që projektligjet që lidhen me Kapitullin 17 të negociatave me Bashkimin Evropian të shqyrtohen së bashku në seancën e 23 korrikut, për të zhvilluar një diskutim të plotë mbi paketën ligjore.

“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, duke qenë se ligji për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit është një ligj që ka të bëjë me detyrat dhe punën që po bën qeveria dhe grupi ynë negociator për kapitullin 17, dhe meqenëse janë edhe disa projektligje të tjera që ndërlidhen me kapitullin 17, propozoj që t’i bashkojmë të gjitha në një seancë”, u shpreh Balla.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që në rendin e ditës të përfshihen edhe nismat e deputetëve të opozitës.

“Keni 7 javë që mbani të bllokuara 7 iniciativa të deputetëve të opozitës. Nuk janë disa të privilegjuara dhe disa jo”, u shpreh Bardhi.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua kreu të Kuvendit duke i thënë se është vasal i kryeministrit Rama.

“Do mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë.Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve të cilat BE, KE, Parlamenti Evropian kërkon të anulohen dhe të amendohen”, tha Berisha.

Ai shtoi se anulimi kërkohet edhe nga ajo që e cilësoi si protesta më e fuqishme pas viteve ‘90. “Dhe ti në radhë të parë me përgjegjësi absolute të tënden, i injoron sikur nuk ekzistojnë”, tha Berisha.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se ndryshimet në rendin e ditës nuk bëhen në mënyrë arbitrare, por vendosen përmes votimit të deputetëve.

Në vijim, deputetët miratuan ndryshimet në rendin e ditës së seancës plenare.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 12

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›