E Enjte, 5 Nëntor 2026

Opozita protestë përpara Kryeministrisë, Meta: Turp për ata që kanë frikë SPAK-un

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj protestuan mbrëmjen e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë me sloganin “Të bashkuar në betejë, opozita në aksion”.

Në protestë morën pjesë drejtues të Partisë Demokratike, deputetë të opozitës, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbështetës dhe qytetarë të cilët kërkojnë lirimin nga arresti i shtëpisë i kreut të PD, Sali Berisha si dhe qeveri teknike.

Për mbarëvajtjen e kësaj proteste Policia e Shtetit ka marrë disa masa si dhe  ka kufizuar qarkullimin e automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Nga ana tjetër policia u ka bërë thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Budina: Protestojmë për veten dhe për familjet tona

Protestën e hapi aktori dhe regjisori Edmond Budina, i cili u shpreh se “sot protestojmë për veten tonë, për familjet tona, protestojmë sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin”.
“Po ju kujtoj skandalet e inceneratorëve, që na merr 80 milionë euro çdo ditë, deri tani 130 milionë eurove, ky është një hajdut, bashkë me bandën e tij. Ndaj ne jemi këtu, për ti thënë JO kësaj vjedhje, ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tona”, tha ai.

Haxhia: Mjerimi është ul këmbëkryq në sofrat tona
Në protestë foli edhe Donika Haxhia, arsimtare, e cila u shpreh se  “ata që e mbajnë kokën ulur kundrejt kësaj qeverie, vdesin sa herë që e bëjnë këtë. E ata që flasin, që reagojnë e protestojnë, vdesin vetëm një herë. Ne që jemi këtu kemi vendosur t”i nënshtrohemi vetëm vullnetit të te madhit Zot për ditën e vdekjes, vetëm një herë”.

Dasho: 500 milionë euro u janë vjedhur të sëmurëve shqiptarë
Mjeku Erion Dasho duke folur në protestë u shpreh se, “rilindja e nisi qeverisjen e saj me një mashtrim: shëndetësinë falas”.
Dasho tha se, “500 milionë euro u janë vjedhur të sëmurëve shqiptarë, për të pasuruar oligarkët e Rilindjes”.

Ai tha se “askund më shumë se në shëndetësi shqiptarët nuk mund t’i shohin mashtrimet dhe vjedhjet e rilindjes”.

Cami: Liria kërkon përkujdesje e sakrifica të vazhdueshme
Pedagogu Edvin Cami, në fjalën e tij në protestën e sotme para Kryeministrisë i këshilloi shqiptarët të kërkojnë të drejtën e tyre.
Cami shtoi se, ata që e zgjedhin liderin e vendit janë shqiptarët e jo ndërkombëtarët.
“Sot është koha që të gjithë të gjejmë rrugë e mënyra për të folur, për të përcjellë mesazhe e për të biseduar me njëri-tjetrin, sepse kjo është domosdoshmëri e lirisë, dhe këto 33 vjet të historisë na kanë mësuar se liria nuk vjen vetvetiu, por që kërkon përkujdesje e sakrifica të vazhdueshme për t’u mbrojtur, e nëse një shoqëri humb lirinë humbet gjithçka”, tha Cami.

Meta: Turp për ata që kanë frikë SPAK-un

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, nga protesta e thirrur nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deklaroi se është turp për ata opozitarë që besojnë tek Prokuroria Speciale Antikorrupsion dhe kreu i saj, Altin Dumani.

Në fjalën e tij, Meta u shpreh se “Dum Dumani është katër vite me vonesë për arrestimin e kryeministrit Edi Rama”.

“U arrestua Beqaj, i paska dal dosja Lames…Dum Dumani është katër vite me vonesë për arrestimin e Ramës. Agaçi duhet të ishte në burg për 700 mijë koncesionet e nënshkruara”, tha Meta.

“Sduhet të ndalemi deri sa Ramën ta dërgojmë aty ku ka qeverinë e dytë të tij”, shtoi Meta.

“Turp për të gjithë opozitarët që kanë frikën e autoritetit të spak, regjimi i Dum Dumanit, ata që e dinë, ishte regjimi i një krimineli si Di Valea, ata vishnin ca syze të zeza, pushteti e tij kriminal tek dum dumanët të cilët thonë se afërmendsh që gjykatat do të vendosin. Turp për çdo opozitar që i bën kurse SPAK-ut ose ka hallin e SPAK ose ka hallin se nuk i japin vizën”, nënvizoi Meta.

1 nga 14

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›