E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita reagon pas shkarkimit të Veliajt: Iku si simbol i korrupsionit

Votimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj ka sjellë reagime nga krerët e opozitës. Gazment Bardhi nga Partia Demokratike dhe Tedi Blushi nga Partia e Lirisë e cilësuan vendimin si një fund të merituar për Veliajn, ndërsa lëshuan paralajmërime për të gjithë zyrtarët e korruptuar.

Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, tha se Veliaj “iku nga drejtimi i bashkisë më të madhe në vend pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë, t’i jepte dorën askujt dhe as të thoshte lamtumirë”.

Sipas Bardhit, ai iku si “funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë”. Ai shtoi se vendimi i sotëm nuk ishte thjesht një mesazh për Veliajn, por një “paralajmërim për fundin që i pret të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me pushtetin”.

Blushi: Votë edhe për shkarkimin e tyre

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se vota e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Veliajt është në fakt edhe një “votë për (vet)shkarkimin e tyre”, pasi ata kanë mbështetur dhe legjitimuar çdo “aferë korruptive” dhe “çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës”.

Blushi e cilësoi këtë shkarkim si “të domosdoshëm, por edhe shumë të vonuar”. Sipas tij, ky akt duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe kthimit të Bashkisë te qytetarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›