Opozita serbe pretendon vjedhje të votave, Vuçiç dakord që të lejohet qasja në gjithë materialin zgjedhor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se është pro që të lejohet qasja në gjithë materialin zgjedhor të zgjedhjeve të përsëritura lokale në disa pjesë të Serbisë, të mbajtura më 2 qershor.
“Të gjithë që kanë dëshirë të rishikojnë gjithçka duhet të lejohen, prandaj gjithçka duhet të jetë transparente. Mund t’i numëroni 100 herë, si të doni. Natyrisht që nuk ka parregullsi”, ka thënë Vuçiç në një paraqitje televizive në Radiotelevizionin e Serbisë.
Opozita organizoi protesta të martën në Beograd dhe Nish, me kërkesën për të pasur qasje në materialin zgjedhor. “SNS ka fituar bindshëm në Beograd dhe Novi Sad”, u shpreh Vuçiç.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor. Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja e presidentit serb. Megjithatë, organizatat që i monitoruan zgjedhjet, raportuan për një varg parregullsish, përfshirë blerjen e votave ose regjistrimin e dyfishtë të votuesve.
/RTSH/