E Premte, 6 Nëntor 2026

Opozita tenton të bllokojë mbledhjen e këshillit bashkiak, Veliaj: Tiranën nuk e bllokoni dot

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Gjatë mbledhjes së sotme të këshillit bashkiak, ku këshilltarët e djathtë tentuan të bllokojnë miratimin e kredive të buta, ndihmën ekonomike dhe një sërë vendimesh të rëndësishme, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se askush nuk mund ta bllokojë dot Tiranën.

“Nëse krizën e opozitës doni ta sillni në këshill bashkiak, është kriza juaj. Nuk e bllokoni dot qytetin, nuk e bllokoni dot Tiranën. Harrojeni, Tirana do të ecë përpara. E di që doni të bllokoni edhe kurset te Piramida, doni të bllokoni dhe shtëpitë me qira, doni të bllokoni edhe kreditë e buta, doni të bllokoni edhe shkollat e reja, sepse s’keni argument me shkollat e reja që po ndërtohen sot në Astir. Ne do t’i ndërtojmë përsëri. Çdo gjë që prishni humbisni 1 % të votave, kaq ju them unë, që merrem kaq vite me këtë punë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj paralajmëroi opozitën se kjo sjellje do t’i çojë ata sërish në humbje në zgjedhjet e ardhshme.

“E kuptoj se silleni kështu nga halli, por jeni më të mirë se kaq. Qytetarët duan që ne të punojmë dhe jo që t’i bini daulles. I keni rënë daulles ka kaq kohë, i lodhët njerëzit, i lodhët. Do takohemi përsëri në maj, do keni humbur përsëri dhe do thoni pse humbëm. Arsyeja pse humbni është se bëni të njëjtën gjë”, deklaroi Veliaj.

Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak këshilltarët e djathtë u përpoqën të ndalonin fjalën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe rendin e ditës.

Pas fjalës së kryebashkiakut, këshilli bashkiak miratoi mes zhurmës 18 pikat në rendin e ditës të kësaj mbledhje.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›