E Martë, 3 Nëntor 2026

Opozita vijon protestën para Bashkisë Tiranë: Betejë pa kthim deri në largimin e qeverisë

Opozita zhvilloi këtë të enjte (15 gusht) protestën e saj të 21-të në radhë para Bashkisë Tiranë, ku kërkoi dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ndryshe nga tubimet e mbajtura fillimisht para Bashkisë Tiranë, protestat e fundit të opozitës nuk kanë pasur tensione dhe incidente.  

Për rreth një orë protestuesit hodhën akuza ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe qeverisë. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Dorian Teliti, i cili tha se protestat duhet të bëhen më të forta deri në largimin e qeverisë.

“Qeveria ju do të varfër dhe të trembur që të vjedhin votat me bandat dhe përmes krimit dhe korrupsionit pasi është e vetmja mënyrë që qëndrojnë në pushtet. Detyra jonë është qëndresa, me protesta të vazhdueshme dhe më të forta që të bëjmë të mundur largimin e Erionit. Ai ka shkatërruar dhe vijon ta shkatërrojë Tiranën, ku banorët vijojnë të zhyten në varfëri. Mjaft me këto banditë dhe hajdutë. Meritojmë një Tiranë të ligjshmërisë, transparencës dhe fjalës së lirë.

Edhe këshilltari i Bashkisë së Tiranës Tedi Blushi tha se beteja opozitare është pa kthim deri në largimin  e qeverisë dhe kryebashkiakut Veliaj.

“Kjo është betejë pa kthim. Ne jemi betuar përpara qytetarëve të Tiranës se do kthejmë normalitetin në bashkinë e kryeqytetit. Veliaj çdo ditë që qëndron në pushtet, më shumë vjedh. Dum dumani ose vëri prangat Veliajt ose vërja vetë prangat vetes, sepse po dëshmon se je palë me këtë monstër që vjedh taksat e shqiptarëve. Tirana është përmbytur nga plehrat. Veliaj bën xhiro në Europë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk ke për të gëzuar asnjë qindarkë”, tha Blushi.

Kujtomë se opozita nisi protestat duke kërkuar dorëheqjen e Veliajt, pas arrestimit të 3 ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës lidhur me dosjen “5D” dhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›