“Oran 2022”, Kosova shkëlqen në dy ditë

Kosova po shkëlqen në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” pasi gjatë ditëve të fundit ka arritur të triumfojë në disa kategori të xhudos duke u ngjitur menjëherë në vendin e 13 të klasifikimit të përgjithshëm. Katër medalje në xhudo dhe një në boks brenda një jave e rrisin shumë prestigjin e ekipit kosovar në Algjeri ku të artat kanë shkuar për xhudistet Distria Krasniqi e Laura Fazliu, ndërsa medalje të bronzta Akil Gjakova e Flaka Loxha.
Një vend i tretë edhe për boksierin Shpejtim Bajoku. Gjatë ditëve të ardhshme, Kosova mund të ngjitet edhe më shumë në klasifikimin e përgjithshëm ku ka lënë pas edhe vende prestigjoze në emër si Portugalia apo Sllovenia ndërsa Shqipëria renditet në vendin e 16-të me dy medalje, një ari dhe një bronzi, të dyja të fituara në sportin e mundjes. Momentalisht, tabela kryesohet nga Turqia që ka lënë pas Italinë dhe Algjerinë organizatore.