E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Organizata e OKB: Ulen çmimet e ushqimeve në nivel global në drithëra, vajra, naftë, oriz etj.

Indeksi i çmimeve botërore të mallrave ushqimore ka rënë ndjeshëm në korrik. Çmimet e drithërave dhe vajit shënuan rënie dyshifrore në përqindje, ka njoftuar Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara . Indeksi i çmimeve të ushqimit ka shënuar rënien e katërt radhazi mujore që prej arritjes së nivelet më të larta të të gjitha kohërave në fillim të vitit. Indeksi, i cili gjurmon ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të shportës së mallrave ushqimore të tregtuara, mbeti 13.1 për qind më i lartë se në korrik 2021.

“Rënia e çmimeve të mallrave ushqimore nga nivele shumë të larta është e mirëpritur, veçanërisht kur shihet nga pikëpamja e aksesit në ushqim; megjithatë, mbeten shumë pasiguri, duke përfshirë çmimet e larta që mund të ndikojnë në perspektivat e ardhshme të prodhimit dhe jetesën e fermerëve”,- tha kryeekonomisti i FAO, Maximo Torero.

Indeksi i çmimeve të vajit u ul me 19.2 për qind në korrik krahasuar me muajin qershor, duke shënuar një nivel më të ulët në 10 muaj. Çmimet e vajit të lulediellit kanë rënë ndjeshëm, mes kërkesës së frenuar globale për importe, pavarësisht pasigurive të vazhdueshme logjistike në rajonin e Detit të Zi.

Çmimet më të ulëta të naftës së papërpunuar ndikuan gjithashtu në uljen e vlerave të vajit vegjetal. Indeksi çmimeve të drithërave ra me 11.5 për qind në muaj, ndërsa mbeti 16.6 për qind mbi vlerën e tij të korrikut 2021.

Çmimet e të gjitha drithërave të përfaqësuara në indeks ranë, të udhëhequra nga gruri, për të cilin çmimet botërore ranë deri në 14.5 për qind, pjesërisht si reagim ndaj marrëveshjes së arritur midis Ukrainës dhe Federatës Ruse.

Çmimet botërore të drithërave të tjera ranë me 11.2 për qind. Çmimet ndërkombëtare të orizit gjithashtu ranë për herë të parë këtë vit në rang global. Indeksi i çmimeve të sheqerit pësoi rënie me 3.8 për qind nga qershori mes shqetësimeve mbi perspektivat e kërkesës, për shkak të pritjeve për një ngadalësimi të mëtejshëm ekonomik global.

Indeksi i çmimeve të qumështit u ul me 2.5 për qind nga qershori, nga dobësimi i aktivitetit tregtar. Çmimet e qumështit pluhur dhe gjalpit ranë, ndërsa ato të djathit mbetën të qëndrueshme, të nxitura nga kërkesa në destinacionet turistike evropiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›