E Diel, 1 Nëntor 2026

Orkestra Simfonike e RTSH, krijimtaria shqiptare dhe kryevepra të muzikës botërore bëhen bashkë në koncertin e 15 tetorit

Një mbrëmje e veçantë muzikore pritet të sjellë në skenën e Sallës “Ferdinand Deda” të Radio Televizionit Shqiptar krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë dhe kryeveprat e muzikës klasike botërore.

Orkestra Simfonike e RTSH-së do të interpretojë nën drejtimin e maestro Eno Koço, në një koncert që ndërthur traditën muzikore shqiptare me gjuhën universale të muzikës klasike.

Në program janë përfshirë vepra të kompozitorëve Aleksandër Peçi, Johann Sebastian Bach, Aleksandër Vezuli dhe Igor Stravinski, duke ofruar për publikun një repertor të larmishëm, ku bashkohen stile, periudha dhe ngjyra të ndryshme muzikore.

“Ky koncert ka katër vepra. Pjesa e parë përfshin dy vepra për harqe. Soliste është Olta Tashko, e cila interpreton koncertin e famshëm në re minor të Bahut për klaviçembal, të përshtatur për piano. Koncerti nis me Aleksandër Peçin dhe tri pjesë në miniaturë, shumë të bukura, orkestrale, për harqe, që janë perla të muzikës sonë. Në pjesën e dytë kemi një vepër të shkurtër të Aleksandër Vasilit, “Valle shqiptare nr. 2”, ndërsa koncerti mbyllet me veprën shumë të njohur të Stravinskit, “Zogu i zjarrit”, u shpreh maestro Eno Koço.

Përmes këtij koncerti, Orkestra Simfonike e RTSH-së vijon të promovojë vlerat e muzikës shqiptare dhe të sjellë pranë publikut veprat më përfaqësuese të repertorit ndërkombëtar, duke krijuar një hapësirë takimi mes traditës, interpretimit dhe emocioneve që përcjell muzika.

Koncerti do të mbahet më 15 tetor, në Sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, në një mbrëmje të dedikuar artit, virtuozitetit dhe përjetimit muzikor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›