Orkestra Simfonike e RTSH, më 11 prill koncert me vepra të kompozitorit Fatos Qerimaj

Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të sjellë koncertin e radhës duke ofruar një mbrëmje të veçantë për publikun artdashës.
Në qendër të koncertit do të jetë krijimtaria e kompozitorit dhe klarinetistit të mirënjohur shqiptar, Fatos Qerimaj.
Programi muzikor do të përfshijë vepra të përzgjedhura që ndërthurin elementë të traditës shqiptare me tingujt universalë të muzikës klasike bashkëkohore duke krijuar një përjetim artistik unik.
“Ky koncert përmban tri vepra të cilat janë uvertura “Epirus”, koncerti për violonçel e quajtur “Melogrami” dhe simfonia numër dy e quajtur “Exil”. Të tri veprat janë vepra me frymë tradicionale shqiptare dhe kanë një qasje që trajtojnë periudha të ndryshme të historisë tonë”, tha kompozitori Qerimaj.
Koncerti do të mbahet në datën 11 prill në Sallën e Universitetit të Arteve.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/