Orkestra Simfonike e RTSH solli kryeveprat e Beethoven në një mbrëmje kushtuar gjeniut të muzikës klasike

Muzika e Ludwig van Beethovenit ishte në qendër të vëmendjes në një mbrëmje të veçantë artistike nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, Publiku ndoqi një program tërësisht të dedikuar një prej figurave më të mëdha të muzikës klasike botërore.
Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin dhe me pianisten Nikol Tuka si soliste, u interpretuan Koncerti për Piano Nr. 1 në Do Maxhor dhe Simfonia Nr. 8 në Fa Maxhor, dy vepra që pasqyrojnë mjeshtërinë dhe pasurinë artistike të Beethovenit.
“Bashkëpunimi me orkestrën simfonike të RTSh është shumë i ngrohtë sepse ajo tashmë eshte orkestra ime, Tirana tashmë është shtëpia ime dhe jam shumë i lumtur që bashkëpunoj me instrumentistë të tillë virtuozë. Kemi sjellë sot për herë të parë veprat e plota të gjeniut të muzikës Beethoven”, u shpreh dirigjenti Facundo Agudin.
“Ishte një eksperiencë e paharrueshme, ishte një koncert që publikut i ka falur shumë kënaqësi”, tha pianistja Nikol Tuka.
Interpretimi i orkestrës solli energjinë, elegancën dhe forcën emocionale të këtyre kryeveprave, duke i dhuruar publikut një përvojë të veçantë muzikore.
Koncerti u mirëprit nga të pranishmit, të cilët përjetuan nga afër universin krijues të kompozitorit që vazhdon të frymëzojë breza të tërë në mbarë botën.
/rtsh.al/