Orkestra e Forcave të Armatosura dhe ajo franceze mbajnë koncert në Paris

Muzika i kalon kufijtë dhe këtë e dëshmoi koncerti madhështor në katedralen historike Eglise du Val-de-Grâce në Paris, ku Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Orkestra e Gardës Republikane Franceze u ngjitën në të njëjtën skenë për herë të parë në një bashkëpunim që i dha jetë diplomacisë kulturore mes dy vendeve.
Nën drejtimin e dirigjentëve të dy vendeve u interpretuan vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe francezë, duke përfshirë edhe kompozitorin e njohur shqiptar Kujtim Laro me veprën emocionale “Lulëkuqet mbi mure”, e cila e preku thellë publikun.
Drejtori i Orkestrës së Forcave të Armatosura, Arben Skënderi, e cilësoi këtë bashkëpunim si një “pasaportë të shkëlqyer diplomatike përmes artit dhe kulturës”. Sipas tij, ky koncert jo vetëm që ndau emocione mes artistëve dhe publikut, por prezantoi edhe identitetin kulturor shqiptar me asetet më të mira që vendi ka.
“Ishte një pasaportë fantastike diplomacie përmes kulturës dhe artit në koncertin e përbashkët mes orkestrës shqiptare dhe saj franceze. Orkestra e Forcave të Armatosura është ndërtuar në disa formacione me gjeometri të variueshme, që do të thotë se kemi orkestrën e madhe simfonike me orkestrën e harqeve, ansamblin barok, sektorin e muzikës së dhomës. Në Francë kemi bashkëpunuar në drejtim të dirigjentëve ku u sollën veprat e kompozitorëve shqiptarë dhe francezë. Nga tingujt e Kujtim Laros pashë shumë njerëz të përlotur në sallë, ajo muzikë prek gjithkënd, gjithkund me veprën “Lulëkuqet mbi mure”.
Arti është gjuhë universale. Të komunikojmë me asetet pozitive që kemi dhe jo t’i lëmë të pluhurosen. Sot kemi kompozitorë që kanë kaluar shekujt dhe Kujtim Laroja është nga ata kompozitorë shqiptarë që prodhoi një muzikë jo vetëm avangardë në kohën e vet, por po i reziston edhe kohës sot. Ne realizuam një bashkëpunim të këtyre nivele për herë të parë. Ky koncert jo vetëm ndau emocionet mes nesh përmes artit, por prezantuam dhe veten tonë me asetet më të mira që ne kemi,” tha Skënderi.
/rtsh.al/