E Hënë, 2 Nëntor 2026

Orkestra e RTSH koncertin e radhës më 23 maj, vepra nga kompozitorë shqiptarë e të huaj

Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të vijë me koncertin e radhës, me një program të pasur që përfshin vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj.

Suitë simfonike Nr. 3 nga filmi “Kur hidheshin themelet” e kompozitorit Shpëtim Kushta do të çelë koncertin, për të vijuar më pas me veprën e Aleksandër Glazunov, koncert për saksofon, si dhe me Robert Schumann, koncert për piano, dhe Çajkovski.

“Fillojmë me profesor Shpëtim Kushtën, një suitë nga filmi “Kur hidheshin themelet”. Një vepër shqiptare, interesante me dinamikat e saj. Më pas vijojmë me Zija Bejlerin në koncertin për saksofon nga Glazunov, një gjë e rrallë, do të thoja. Koncertet për saksofon janë vërtet të rralla. Më pas kemi koncertin për piano dhe orkestër dhe në fund mbyllim me një koncert të Çajkovskit”, zbulon dirigjenti Kraja.

Enxhi Vogli në piano dhe Zija (Bushi) Bejleri në saksofon do të jenë solistët e koncertit.

“Në këtë koncert do të performoj në koncertin për piano dhe orkestër të Robert Schuman në skenën e Universitetit të Arteve, me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Është një kënaqësi shumë e madhe për mua të performoj sërish me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, me kolegë dhe miq profesionistë të një kalibri të lartë,” shprehet pianistja Enxhi Vogli.

Koncerti do të mbahet në sallën e Universitetit të Arteve, më 23 maj, ora 19:00.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›