Orkestra e RTSH-së, koncert me pjesë nga kompozitori slloven Bojan Adamiç

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar zhvilloi një vizitë në Radio Televizionin Shqiptar, gjatë së cilës ndoqi edhe një koncert nga Orkestra e RTSH-së e cila interpretoi pjesë nga kompozitori i njohur slloven Bojan Adamiç.
Në këtë koncert presidentja sllovene shoqërohej nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Etnomuzikologu Vasil Tole, i pranishëm në koncert, theksoi se Bojan Adamiç ka dhënë një kontribut të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën në fushën e muzikës. Sipas Toles, orkestrimet e Adamiçit kanë qenë model për klasën muzikore të kompozitorëve të Kosovës, për mënyrën sesi kompozohet orkestracioni modern me idiomat e muzikës folklorike.
Ky koncert i Orkestrës së RTSH u konsiderua si një mirënjohje ndaj figurës dhe kontributit të Adamiç në muzikën shqiptare.
Përveç Radio Televizionit Shqiptar edhe Akademia e Shkencave e ka kujtuar me disa veprimtari, kompozitorin slloven. Gjithashtu Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit apo Qendra Ndërkombëtare e Librit kanë mbështetur e financuar botimin e librit “Kompozitori Bojan Adamiç në Shqipëri”.
Orkestra e RTSH-se, fotografite nga Agim Dobi 1 nga 6