Osmani: BE të heqë sanksionet! Presidentja e Kosovës takon të dërguarin për dialogun Sorensen

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian Peter Sorensen qëndron këtë të hënë në Kosovë në vizitën e parë që prej marrjes së detyrës disa muaj më parë.
Sorensen u takua fillimisht me kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani. Osmani kërkoi nga Bashkimi Evropian të trajtojë Kosovën në mënyrë të barabartë në dialogun e Brukselit.
Ajo theksoi se Prishtina ka dëshmuar se është pala konstruktive e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit.
“Mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balancën e nevojshme në dialog”, tha Osmani në një reagim në rrjetet sociale.
Sorensen pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi./vizionplus.tv