Osmani: Bllokadë totale nga BE për Kosovën, po i hapen dyert atyre që shkojnë në Moskë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Pas shtrëngimit të duarve me kryeministrin Edi Rama, Osmani ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për të cilin u shpreh se nuk vlerëson as punën dhe as reformat e ndërmarra nga Kosova.
Ajo u shpreh se ndonëse Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian, sërish po përkrahen vende të cilat “shkojnë në Moskë”. Osmani e konsideroi këtë “një mesazh të keq për rajonin”.
“Uroj Shqipërinë dhe kryeministrin, është shumë me rëndësi që të dalim me plan konkret se si do ecin para shtetet tona drejt BE. Jemi të linjëzuar me politikën e jashtme e të sigurisë në BE, por ka bllokadë totale nga ana e BE, nuk vlerësohet puna jonë, reformat tona, nuk vlerësohet fakti që jemi 100% me politikat e tyre, qoftë këtu edhe sanksionet ndaj Rusisë. Për fat të keq po jepet mesazh i keq për rajonin tonë. Më shumë po hapet dera në raport me ata që po shkojnë në Moskë te Putini se sa për ne që nuk shohim rrugë e alternativë tjetër përpos BE“, theksoi Osmani.
Në përfundim, Osmani shtoi se vëmendja e qytetarëve të Kosovës është e përqendruar te situata politike në vend.
“Njerëzit në Kosovë kanë shumë pritshmëri dhe pritshmëritë tani janë për gjetjen e një zgjidhje për situatën politike, dhe nga partia kryesore”, deklaroi Osmani.
/rtsh.al/