E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani: Daci la gjurmë të pashlyeshme në jetën politike, akademike dhe shkencore të Kosovës

PRISHTINË, 1 janar/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, akademikut dhe profesorit Nexhat Daci.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare.

Në mesazhin e saj të ngushëllimit, Osmani e ka cilësuar Dacin si një personalitet të rrallë që ka bashkuar dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike, akademike dhe shkencore të vendit, shkruan KosovaPress.

Ajo ka theksuar se gjatë viteve të ’90-ta, në periudhën më të vështirë për popullin e Kosovës, akademik Daci ka dhënë kontribut të çmuar për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Sipas Osmanit, kontributi shumëdimensional i Nexhat Dacit në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të Kosovës.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të”, ka thënë Osmani. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›