Osmani bisedë telefonike me presidentin e Finlandës, flasin për partneritetin dhe sigurinë

PRISHTINË, 21 shkurt /ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidentja Osmani përmes një postimi, ku ka theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për Kosovën.
“Është gjithmonë kënaqësi të bisedosh me mikun e dashur të Kosovës, Presidentin finlandez Alexander Stubb. Diskutuam zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë, si dhe partneritetin midis dy vendeve tona. E falënderova për mbështetjen e palëkundur të Finlandës për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Gjatë bisedës, dy presidentët kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, me theks të veçantë në rrugën euroatlantike të vendit. /KosovaPress/