Osmani kritikon BE për masat: Janë të padrejta dhe jo Europiane. Kosova nuk i meriton

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar Bashkimin Europian dhe ka shprehur zhgënjimin për disa shtete në veçanti. Kjo për shkak të mungesës së progresit në heqjen e masave që janë vendosur ndaj Kosovës një vit më pare.
“Ato masa duket se nuk do të hiqen as këtë dhjetor. Besoj se këto masa janë ta padrejta dhe jo europiane. Nuk ka asgjë të mbështetur në vlerat europiane duke ndëshkuar qytetarët edhe me projektet për ujin e pijshmëm”, tha Osmani.
Blloku vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit dhe pas vlersimeve se qeveria e Albin Kurtit nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Osmani u shpreh gjithashtu e zhgënjyer lidhur me procesin e anëtarësiit të Kosovës në BE.
“Po të ketë vullnet politik nga ana e BE-së mund të gjenden modalitetet që të mandatohet Komisioni Evropian për të shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, shtoi Presidentja.
Në deklaratën e përbashkët të samitit mes BE dhe Ballkanit perëndimor, në veçanti I bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga dialogu.