Osmani pengohet në aeroportin e Shkupit, sigurimi tentoi t’i marrë telefonin

TiRANË, 1 gusht/ATSH/ Sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, derisa është tentuar edhe të shtyhet fizikisht, ka konfirmuar për KosovaPress këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Ai ka bërë të ditur se në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të presidentes, por kjo e fundit ka lejuar një gjë të tillë pasi do të ishte shkelje e rëndë.
“Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka thënë Kupina.
Ai ka theksuar se sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes Osmani kudo në botë, përfshirë në shtete jo-njohëse
“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, ka thënë Kupina
Presidentja Osmani ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar.
“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene, të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar”, ka vijuar Kupina.
Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës.
Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë, ka thënë Kupina./Kosovapress/