Osmani priti komandantin e NATO-s në Napoli: Përkushtim për sigurinë rajonale

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës në krye të një prej komandave më të rëndësishme strategjike të Aleancës Veriatlantike.
Gjatë takimit, presidentja Osmani e uroi admiralin Wikoff për detyrën e re dhe shprehu besimin e saj në lidershipin e tij, duke theksuar rolin kyç të komandës për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.
Presidentja ritheksoi mirënjohjen e Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara për kontributin e tyre vendimtar në garantimin e paqes dhe sigurisë që nga viti 1999, duke vlerësuar veçanërisht misionin e KFOR-it si forcë parandaluese dhe garantuese për të gjithë qytetarët pa dallim.
Osmani konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe theksoi se Kosova mbetet partner i besueshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke iu përkushtuar fuqishëm vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, Presidentja paralajmëroi edhe rreziqet nga aktet destabilizuese të Serbisë, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në Banjskë dhe kanalin Ibër-Lepenc.
/a.f/r.e/