E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani shpreson të merret vendimi për njohjen nga Vatikani

PRISHTINË, 13 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u prit sot në takim nga papa Leone XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan, njofton KosovaPress.

Gjatë takimit me papa Leonen XIV presidentja Osmani ka kërkuar zyrtarisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik, ku Osmani u prit nga Ati i Shenjtë, ndërsa gjatë vizitës ajo u takua gjithashtu me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, si dhe me sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet, monsignor Paul Richard Gallagher.

Pas takimeve, në një videomesazh në Facebook presidentja Osmani e cilësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit dhe shprehu shpresën që të merret vendimi i shumë pritur për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë.

“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë, i pavarur dhe në demokraci”, tha Osmani.

Osmani bëri të ditur se gjatë vizitës ka ftuar papa Leonen XIV që të vizitojë Republikën e Kosovës. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›