Osmani takohet me Rutte, diskutojnë për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor

PRISHTINË, 2 tetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Osmani është takuar me Rutte-n në Samitin e EPC në Danimarkë, transmeton KosovaPress.
Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit tha se takimi ishte mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë e shtetit të Kosovës për koordinim të rregullt për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta”, shkroi Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e udhëheqësve të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet sot në Kopenhagë të Danimarkës./KosovaPress/