E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani takon Kallas, i kërkon heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës

PRISHTINË, 17 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Pas njoftimit për heqjen e pjesshme të masave të Bashkimit Evropian, Osmani ka ritheksuar domosdoshmërinë e heqjes së plotë të tyre, duke theksuar se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE-ja.

Ajo ka nënvizuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Përfaqësuesen e Lartë dhe me partnerët evropianë, deri në eliminimin e plotë të masave, në funksion të avancimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe forcimit të perspektivës integruese të vendit.

“Pas njoftimit për heqje të pjesshme të masave, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së tyre të plotë, meqë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian tanimë janë plotësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me znj. Kallas dhe me të gjithë partnerët tanë deri në heqjen e plotë të këtyre masave”, ka shkruar Osmani.

Dje, zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, njoftoi se Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave ndaj Kosovës, të lidhura me projektet e programeve IPA.

Bislimi në Facebook ka shkruar se gjatë ditës së sotme ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në të cilën konfirmohet vendimi i Komisionit Evropian për heqjen e këtyre masave, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›